Sot, më 4 shkurt 2025, në ambientet e Hotel “Tirana International”, u zhvillua takimi konsultues mbi “Planet Sociale Vendore”, organizuar nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Takimi synonte të diskutohej përmirësimi i shërbimeve sociale për periudhën strategjike 2025-2027.

Në këtë takim mori pjesë edhe Fondacioni “Pema e Jetës”, përfaqësuar nga znj. Endiza Dema, e cila prezantoi një raport mbi situatën e personave me aftësi të kufizuara të shkaktuara nga sëmundjet kronike. Fondacioni vuri në dukje se këta persona nuk janë të përfshirë në mënyrë të plotë në shërbimet sociale ekzistuese të Bashkisë Tiranë.
Propozimet kryesore të Fondacionit “Pema e Jetës” janë si më poshtë:
- Përfshirja në planet sociale – Personat me sëmundje kronike, të cilët shpesh mbeten të papërfshirë në shërbimet sociale, duhet të kenë një status të veçantë në politikat dhe skemat sociale të Bashkisë.
- Zgjerimi i qasjeve rehabilituese – Bashkia të shqyrtojë mundësinë e përfshirjes së këtyre individëve në shërbimet e rehabilitimit fizik dhe psiko-social në qendrat multifunksionale.
- Bashkëpunimi për burimet njerëzore – Fondacioni propozoi që Bashkia të ofrojë mbështetje me staf të specializuar si fizioterapistë dhe psikologë në qendrën rehabilituese të ngritur nga fondacioni. Ky bashkëpunim është i domosdoshëm për të përmirësuar mbështetjen afatgjatë për këtë grup social.
- Nevoja për mbështetje të vazhdueshme – Fondacioni ka nisur tashmë një projekt për ngritjen e qendrave rehabilituese, por kërkon mbështetje të mëtejshme nga Bashkia për sigurimin e burimeve njerëzore dhe financiare, bazuar në modelet e suksesshme të vendeve të zhvilluara.
Fokusi i Planit Social për Bashkinë Tiranë është zgjerimi dhe diversifikimi i shërbimeve të kujdesit shoqëror, përmes partneriteteve të reja dhe përmirësimit të aksesit në shërbime për të gjithë qytetarët. Në këtë drejtim, pjesëmarrësit në takim ndanë sugjerime dhe rekomandime, duke kërkuar një angazhim më të madh institucional për përfshirjen e grupeve vulnerabël në planet sociale të qytetit.
Takimi përfundoi me rekomandime për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave joqeveritare, për të siguruar që çdo qytetar i Tiranës të përfitojë nga shërbime të integruara dhe gjithëpërfshirëse.
