Sot, Fondacioni “Pema e Jetës” zhvilloi një takim të rëndësishëm me Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ku morën pjesë Kryetarja e Komisionit, znj. Zheni Gjergji, dhe specialistë të këtij komisioni. Fondacioni u përfaqësua nga Presidenti, z. Tanush Caushi.
Në kuadër të advokacisë për personat me sklerozë multiple në Shqipëri, Fondacioni “Pema e Jetës” ngriti shqetësimet e shumta me të cilat përballen këta persona. Kryetema e diskutimit ishte mungesa e shërbimeve të rehabilitimit fizik në qendrat shëndetësore parësore dhe fakti shqetësues që vetëm 16% e pacientëve trajtohen me medikamente të nevojshme.
Gjatë takimit u trajtuan edhe problematika të tjera, si:
– Mungesa e mbështetjes sociale dhe psikologjike për këta persona.
– Nevoja për protokolle dhe një regjistër kombëtar në qendrat shëndetësore për pacientët me sklerozë multiple.
– Informimi i pamjaftueshëm për legjislacionin mbështetës dhe mungesa e koordinimit institucional.
– Vështirësitë për marrjen e medikamenteve, ku pacientët shpesh detyrohen të udhëtojnë drejt Tiranës për të tërhequr recetat.
– Prezantimi i raporteve: ” Vleresimi i ofimit te fizioterapise ne Qendrat Shendetesore te Kujdesit Paresor” dhe ” Perfitimet nga fizioterapia per pacientet me skleroze multiple”.
Znj. Zheni Gjergji u tregua shumë mbështetëse ndaj këtyre shqetësimeve dhe shprehu gatishmërinë për të ndërmarrë hapa konkretë, duke udhëzuar që çështja të ngrihet në një nivel më të lartë institucional.
U vendos që në periudhën janar-fillim shkurt të organizohet një Komision Parlamentar me pjesëmarrjen e Komisionit, Fondacionit “Pema e Jetës” dhe Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Albana Koçiu.
Ky është një hap pozitiv dhe model bashkëpiunimi midis OJF dhe parlamentit. Ky është një hap i madh drejt një të ardhmeje më të mirë për të gjithë personat me sklerozë multiple në Shqipëri!