Nga Endiza Dizdari Dema

Une jam Meri Gjoni nga Lushnja

Jeta për të kishte qenë e vështirë që në kohën kur u rrit, atëherë kur hodhi mbas krahëve vitet e adoleshencës kur nisi të dalë nga lodrat dhe jeta e shpenguar mes ëndrrash dhe dëshirash imagjnare.
Atëherë kur dalë nga dalë po “zbarkonte” në tokë dhe po fillonte të ndjente rëndesën e përgjegjësive bashkë më vizionet për një të ardhme të ndritur, atëherë kur kishte gjithë jetën para dhe mund të bënte gjithcka donte.

Atëherë, pikërisht atëherë u zgjua një ditë dhe nuk shikonte qartë, kisha vështirësi të vërente përreth, gjithcka i shfaqej dyshaz dhe e kuptoi që kishte humbur qartësinë në shikim dhe bashkë me të edhe qartësinë në mendim. Dicka e madhe po ndodhte në jetën e saj duke tronditur sigurinë në vete ku do detyronte të dyshonte nëse do të isha si më parë. Pas vizitave që pasuan u konfirmuan dyshimet e mjekëve dhe shkaku i luhatjes të shikimit të saj u vërtetuan, ajo vuante nga skleroza e shumëfishtë ose nga skleroza multiple, sic njihej masivisht.

Si për ta vërtetuar më së miri gjendjen e saj, kjo u pasua nga problemet në ecje dhe humbja e ekuilibrit. Edhe këto të fundit ishin simptoma të tjera debilizuese, po fiks DEBILIZUESE, term mjaft qartësues për gjendjen që shfaqte. Për një periudhë të shkurtër kohe, gjithcka ndryshoi.
Pas një viti diagnostikim me këtë sëmundje gjendja e saj ndryshoi atëherë kur u zhvendos nga Shqipëria dhe iu besua trajtimeve që iu ofruan në Itali, periudhë e cila e bëri të rijetonte përmirësim dhe bashkë me të, të rigjente ëndërrat që kishin përfunduar në skutat e errëta të mbuluara nga pasiguria dhe dorëzimi duke u fshehur në sirtarët e memorjes pa shpresë dhe pa mundësi rimëkëmbjeje. Për të qielli ishte hapur sërish dhe atë e ndjente dita ditës tek përjetonte përmirësim në trupin e saj. Relapset sa vinin e rralloheshin, gjendja emocionale vetëm përmirësohej cdo ditë duke e nxitur të mendonte pozitivisht dhe të kishte caste gëzimi dhe shprese që do t’ia dilte.

Por si gjithmonë, përherë dhe pashmangshmërisht në këtë jetë, gjërat e mira zëvendësohen nga ato më pak të mira për të mos thënë të këqija. Kështjella ishte shembur dhe nuk kishte ngelur asnjë murë prej saj ku mund të mbështetej. Papritmas qëndrimit në Itali i kishte ardhur fundi dhe duhet të kthehehej në Shqipëri.

Gjendja e saj ekonomike nuk e ndihmonte të vazhdonte trajtimin në shtetin e huaj, me pak fjalë duhet të kthehej duke lënë në këtë vend edhe shpresat për përmirësim që nuk mund të kisha. Me ardhjen në Shqipëri takoi përkeqësimin e gjendjes së saj shëndëtësore, e cila ishte bërë më keq duke arritur në ndryshim të frikshëm që nxiti humbjen e pritshmërimeve për tu bërë më mirë. Tashmë vetëm jetonte me ëndrra, kjo ishte mënyra e saj e të mbrojturit nga goditjet e sëmundjes. Ëndërronte të isha si më parë.

Ëndërronte të ishte e aftë të ecte edhe një here. Vetja i dukej si ato fëmijët e vegjël që për cdo hap që hedhin është një fitore. Ëndërronte të kthehej në jetë, në përditshmërinë e sigurt, të kërcente, të vraponte dhe të dilte në dyqane për të blërë gjërat që i nevojiteshin, ajo vetë jo të tjerët për të. Ëndërronte të kisha një punë dhe të ishte e sukseshme plot me angazhime dhe me aktivitete. Ëndërronte që të dilte me nxënësit e saj dhe të organizonte programe të ndryshme edukative ku ajo do ishte faktor kryesor i mbarëvajtjes të programit të organizuar.

Endërronte të dilte me shoqet e saj qoftë vetëm për një kafe. Ah sikur…! Njeriu nuk vlerëson ato që ka për shkak se i shikon si të parëndësishme, sikur janë të mirëqena, ndërsa ajo dhe ndoshta të tjerë si ajo, luten natë e ditë që të zbulohet një kurë shëruese, të paktën të trajtohen me mjekime ma të përshtatshme në mënyrë që të kthehen si kanë qenë, që të dalim nga ky burg ku i ka futur pa dëshirën e tyre, kjo sëmundje.

Ah sikur…! Tani e pafuqishme për të ndryshuar realitetin e saj mundohet të mbajë me cifla pozitiviteti shpirtin e rënduar dhe duke u varuar në pak fjalë shprese, në inisiativa të bashkëvuajtësve duke sforcuar veten të besojë se jeta e saj dhe e tyre do bëhet më mirë dhe do të arrijnë të kenë mjekime dinjitoze dhe trajtime të vleshme që do t’i shoqërojnë në botën e përmirësimit dhe reabilitim të trupit dhe të dinjitetit të tyre të nëpërkëmbur nga ajo sëmundje, që të lë gjallë por që të torturon deri në amshim.

Nga mosha dhe nga mundësitë për të bërë dicka kjo kategori pacientësh janë të aftë për të dhënë më të mirën për veten e tyre edhe për shoqërinë, nëse shoqëria do të hapë derën e pranimit dhe të mbështetjes, sepse ato janë të aftë, me ndihmën e posacme, të japin më shumë për shoqërinë dhe për veten e tyre. Ajo, ne shaka e sipër shprehet: Akoma shpresoj që një ditë do bëhem ajo zysha që mund të ecë në korridor së paku me 5cm taka . Ah sikur…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *