Më 7 maj 2026, Fondacioni “Pema e Jetës” mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga UNFPA në bashkëpunim me Fondacionin “Së Bashku”, në sallën “Onufri” të Hotel Tirana International në Tiranë.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit “Reduktimi i Dhunës me Bazë Gjinore dhe praktikave të dëmshme përmes Qeverisjes së Përgjegjshme Gjinore”, financuar nga Qeveria Italiane përmes AICS dhe zbatuar nga UNFPA në partneritet me Qeverinë Shqiptare.
Në këtë aktivitet u prezantua platforma online “PakTabu.org”, një hapësirë gjithëpërfshirëse dhe e aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara, e cila synon të rrisë informimin dhe ndërgjegjësimin mbi seksualitetin, marrëdhëniet e shëndetshme, të drejtat seksuale dhe riprodhuese, si dhe dhunën me bazë gjinore.

Fondacioni “Pema e Jetës”
Gjithashtu u prezantua edhe “Vëzhgimi mbi aksesin e personave me aftësi të kufizuara në infrastrukturë, informacion dhe komunikim”, i realizuar në bashkitë Dibër, Tiranë dhe Vlorë. Vëzhgimi evidentoi sfida konkrete që përballen personat me aftësi të kufizuara, veçanërisht gratë dhe vajzat, në aksesin ndaj institucioneve publike, qendrave shëndetësore, strehëzave, shërbimeve sociale dhe strukturave të tjera të rëndësishme.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit sollën shembuj realë nga terreni mbi:
- mungesën e aksesit në shërbimet shëndetësore dhe kujdesin në banesë;
- vështirësitë ekonomike të familjeve;
- diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes;
- mungesën e informacionit dhe orientimit për shërbimet ekzistuese;
- pengesat infrastrukturore për personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit;
- nevojën për më shumë koordinim institucional dhe mbështetje komunitare.
Fondacioni “Pema e Jetës” ndau përvojën e tij në mbështetjen e personave me sëmundje kronike dhe aftësi të kufizuara, duke theksuar rëndësinë e rehabilitimit, fizioterapisë, kujdesit në komunitet dhe aksesit të barabartë në shërbime.
Në diskutime u vu theksi edhe tek rëndësia e shërbimeve në banesë për pacientët që kanë vështirësi në lëvizje, si dhe nevoja për zgjerimin e mbështetjes psikosociale dhe shëndetësore për grupet më vulnerabël.
Fondacioni “Pema e Jetës” vlerëson këtë tryezë si një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një shoqërie më gjithëpërfshirëse, ku çdo person të ketë akses të barabartë në shërbime, informacion dhe dinjitet.
Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë për mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara dhe për forcimin e shërbimeve rehabilituese e sociale në Shqipëri.
© Fondacioni “Pema e Jetës”
